“Studiuesi”, spiuni i munguar i Dosjes “Çabej”

Në dosjen “Çabej” emri i Injac Zamputtit përmendet disa herë. Shënimet e zyrtarëve të sigurimit të destinuara për kapitullin “Bashkëpunëtorë të fshehtë”, në të gjitha rastet pohojnë pa mëdyshje: Albanologu nuk pranoi statusin e agjentit! Në fakt kështu ndodhi deri në fund me studiuesin e urtë. Teksa  shpërfillte shërbimin për policinë sekrete, emri i tij zhgaravitej në dosjen voluminoze me tagrin e spiunit të munguar. Të paktën për autorët e saj nuk mund të cilësohej tjetërsoj. Sakaq Zamputti vazhdoi me të njëjtën sjellje ndaj tyre, pavarësisht privacioneve të pashmangshme. Dueli zgjati për disa vite. Dokumentet e sigurimit saktësojnë si “start” të tij fillimin e viteve 50. Po në fakt ka nisur më herët. Në shënimet e Zamputit bëhet e ditur se është thirrur për tu rekrutuar qysh në vjeshtën e vitit 1949. Oferta misterioze për të gjurmuar  Çabejin, u kthye mprapsh që në çastin e parë. Albanologu i njohur humbi kështu “rastin” për tu rreshtuar në listën e dhjetëra kolegëve që pranuan të ndërrojnë identitetin me emërtime të llojit “Dhelpra” “Gjevreku”, “Prursja” “E dija”, “Shigjeta”, Dhishnicarja”, “Jaku”, “Moli”,”Leksiku”, të cilët “provuan” për organet vigjilente frymën antiparti të Çabejit të madh, disidencën dhe “shërbimin” për zbulimin gjerman, qëndrimin antimarksist dhe shpërfilljen e tij ndaj Stalinit dhe klasikëve të tjerë. Në dorëshkrimin e Zamputtit përshkruhet vetëm njëri nga takimet me zyrtarët e policisë sekrete. Ndërkaq, në dosjen “Çabeji” janë regjistruara me dhjetra të tilla që shtrihen në një hark kohor 10 vjeçar. Në të gjitha raportet ku përmendet emri i Zamputtit shprehet “Jo”-ja e prerë përballë aventurës së tyre. Shkrusit mjeranë kanë lënë aty të dokumentuar edhe strategjinë e goditjes ndaj rebelit Zamputti. “Të thirret përsëri”, “Të shtrëngohet më fort”, “Ti bëhet presion për familjen”. Këto janë vetëm disa nga detyrat që eksponentët e policisë sekrete kanë lënë në raportet zyrtare me siglën “tepër sekret”. Kaq e rëndësishme ka qenë si çështje mospërfshirja e Zamputtit, saqë me të është marrë drejtpërdrejt titullari i dikasterit. Në një shënim të tij, bëhet i ditur urdhëri që me Zamputtin të angazhohej nga afër zëvendësministri Mihallaq Ziçishti. Po edhe angazhimi i numrit dy të sigurimit nuk ndryshoi gjë në sjelljen e studiuesit fisnik.

http://www.panorama.com.al/index.php?id=35736

Annunci